Një rrjet i organizuar trafiku droge është goditur nga autoritetet italiane në qytetin e Arezzos, ku janë ekzekutuar pesë masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal. Mes të arrestuarve janë dy shtetas shqiptarë dhe tre italianë, të cilët dyshohet se kishin role të ndryshme brenda organizatës.
Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga një shtetas shqiptar, ndërsa pjesëtarët e tjerë merreshin me shpërndarjen dhe përgatitjen e lëndëve narkotike. Struktura e rrjetit rezulton e mirëorganizuar, me shpërndarje të përditshme të drogës në zona të ndryshme të provincës.
Operacioni, i koduar “Minerva”, u zhvillua më 18 prill me urdhër të Gjykatës së Arezzos, pas një hetimi të nisur që në gusht 2025. Autoritetet përdorën përgjime telefonike dhe ambientale, si dhe ndjekje në terren për të dokumentuar aktivitetin e grupit.
Sipas policisë, organizata kishte ngritur një sistem të qëndrueshëm për trafikimin e kokainës, hashashit dhe marihuanës.
“Shitjet kryheshin çdo ditë, shpesh me shpërndarje në banesa përmes automjeteve të ndryshme”, thuhet në dosjen hetimore, duke treguar mënyrën e funksionimit të rrjetit.
Hetimi zbuloi një ndarje të qartë rolesh. Grupi drejtohej nga shqiptari i cili ndodhet aktualisht në paraburgim, i mbështetur nga partnerja e tij, e cila ndodhet në masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Tre shtetasit italianë dyshohet se kanë vepruar si korrierë, përgjegjës për shpërndarjen e drogës, si dhe për paketimin e përgatitjen e dozave në vende të caktuara.
Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge, përfshirë 750 gramë kokainë, 500 gramë hashash dhe 1 kilogram marihuanë, si dhe para cash të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal. Po ashtu, janë gjetur mjete për paketimin e dozave dhe telefona të përdorur për komunikim.
Lini një Përgjigje