Hetimet për vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, e ndodhur mbrëmjen e 21 prillit në Memaliaj vijojnë, ndërsa personat e arrestuar nuk kanë dhënë dëshmi para policisë.
Tre persona ndodhen në pranga: Ermal Mataj, Aldo Kalemi dhe Dali Nela, ky i fundit i plagosur gjatë përplasjes me armë. Sipas të dhënave hetimore, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të japë shpjegime për ngjarjen. Në kërkim janë shpallur edhe dy vëllezërit Donaldo dhe Marjaldo Nela, ndërsa një tjetër person po hetohet në gjendje të lirë. Në total, hetuesit identifikojnë shtatë persona të përfshirë.
Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një përplasjeje të menjëhershme mes dy grupeve, e cila më pas kaloi në përdorimin e armëve. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me konflikte të mëparshme për trafik droge.
Sipas rindërtimit paraprak, Endri Goxhaj ka qëlluar i pari me armë drejt Dali Nelës, duke e lënë të plagosur rëndë. Më pas, dy vëllezërit e këtij të fundit janë kundërpërgjigjur me armë zjarri, duke plagosur 30-vjeçarin, i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Pas të shtënave, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet.
Hetuesit kanë evidentuar se një nga personat në kërkim ka precedentë penalë dhe ka qenë më parë i përfshirë në aktivitete të lidhura me trafikun e drogës. Ndërkohë, lidhjet familjare mes të dyshuarve dhe konfliktet e mëhershme mes grupeve po analizohen si pjesë e dosjes.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë përgjegjësve.
Lini një Përgjigje