
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në Tiranë, pasi akuzohen se kanë vjedhur 40 tonë kafe në subjektin ku punonin. Burime nga hetimi identifikojnë të arrestuarit si Altin Kenga, 35 vjeç dhe Vasilka Kazo, 29 vjeçe.
Operacioni policor i koduar “Inventari” u zhvillua pas kallëzimit të administratores së një kompanie në fushën e prodhimit dhe tregtimit të kafesë, e cila konstatoi mungesë të konsiderueshme në inventar. Strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kryen veprime verifikuese dhe dokumentuan skemën e dyshuar të vjedhjes.
Sipas policisë, Kenga dhe Kazo, të dy me detyrë magazinierë, bashkëpunuan me një shtetas tjetër, L. B., 29 vjeç, me detyrë shpërndarës, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Hetimi evidenton se tre personat kanë vepruar në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrat funksionale.
Të dhënat hetimore tregojnë se gjatë një periudhe trevjeçare, ata kanë nxjerrë nga magazina rreth 40 mijë kilogramë kafe. Produktin e kanë shitur më pas në treg, duke përfituar rreth 800 mijë euro.
"Vodhën 40 000 kg kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën, vihen në pranga 2 magazinierë dhe në hetim shpërndarësi.
Nga kjo veprimtari kriminale e kryer përgjatë 3 viteve, 3 shtetasit dyshohet se kanë përfituar 800 000 euro.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.
Si rezultat i operacionit:
-u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje