
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pas një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit Donaldo, Dali dhe Marjaldo Nela, Aldo Kalemi, Julian Kalemi, të cilët janë përplasur me Gëzim Qëndraj dhe Endri Goxhajn...
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri 30-vjeçarit Endri Goxhaj dhe mbeti i plagosur 25-vjeçari, Dali Nela.
Pas hetimeve të kryera, policia ka arrestuar Dani Nela dhe Aldo Kalemin nën akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërkohë që Ermal Mataj, 41 vjeç, është arrestuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dy vëllezërit Donaldo Nela, 29 vjeç dhe Marioldo Nela, 28 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes së Endri Goxhajt. Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lirë Julian Kalemi, 44 vjeç, për deklarata të rreme para prokurorit dhe Gëzim Qëndraj, 49 vjeç, për kanosje.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pas një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit Donaldo, Dali dhe Marjaldo Nela, Aldo Kalemi, Julian Kalemi, të cilët janë përplasur me Gëzim Qëndraj dhe Endri Goxhajn.
Gjatë konfliktit, dyshohet Endri Goxhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim Dali Nelas, i cili mbeti i plagosur. Më pas, 2 vëllezërit e Dali Nela, Donaldo dhe Marjaldo Nela dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Endri Goxhaj, i cili, si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital.
Donaldo dhe Marjaldo Nela janë larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që tashmë janë shpallur në kërkim nga policia.
Policia ka sekuestruar si provë 1 pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje, me të cilën dyshohet se viktima plagosi 25-vjeçarin. Gjithashtu është sekuestruar 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja.
Njoftimi i policisë:
Zbardhen rrethanat e ngjarjes, ndodhur mbrëmjen e datës 21.04.2026, në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri shtetasi E. G. dhe mbeti i plagosur shtetasi D. N.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, vijuan hetimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur mbrëmë, në Memaliaj.
Si rezultat i hetimeve, u vunë në pranga shtetasit:
D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç dhe vëllai i tij, shtetasi M. N., 28 vjeç, të dy për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Kanosja”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se mbrëmë ka patur një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit D. N., M. N., D. N., A. K. dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe E. G.
Gjatë konfliktit, dyshohet se shtetasi E. G. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. N. (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, 2 vëllezërit e shtetasit D. N. (2 shtetasit e shpallur në kërkim, D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç), dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. G. (i cili, si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital).
Të dy këta shtetas janë larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: arma e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se shtetasi E. G. (i cili më pas humbi jetën) plagosi shtetasin D. N., 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje