Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga autoritetet italiane në veri të vendit ka çuar në sekuestrimin e 183 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e katër shtetasve shqiptarë. Aksioni është pjesë e hetimit të koduar “DayHospital25”, i koordinuar nga Prokuroria Publike nën drejtimin e Michele Permunian, në bashkëpunim me Skuadrën Fluturuese të Trevisos.
Sipas burimeve zyrtare, operacioni u shtri në zonën midis Trevisos dhe Mantovës. Hetimet kishin nisur që në muajin nëntor, duke u përqendruar fillimisht në aktivitetet e dyshuara të trafikut të drogës në zona të frekuentuara, përfshirë hapësira pranë spitalit Ca’ Foncello dhe parkingje publike.
Një nga ndërhyrjet e para u krye më 3 prill, kur policia arrestoi një 44-vjeçar në stacionin San Trovaso në Preganziol. Në automjetin e tij u gjetën rreth 7 kilogramë kokainë, të fshehura në mënyrë të sofistikuar. Ai konsiderohet nga hetuesit si një nyje e rëndësishme lidhëse në rrjetin e shpërndarjes.
Faza kryesore e operacionit u zhvillua në Roverbella, ku u arrestua një 48-vjeçar shqiptar me rreth 20 kilogramë kokainë të fshehura në një automjet të pajisur me ndarje sekrete.
Në vijim, kontrolli i një apartamenti në Porto Mantovano çoi në zbulimin e 156 kilogramëve të tjerë kokainë dhe rreth 56 mijë euro cash. Në këtë banesë ndodheshin edhe dy persona të tjerë, të cilët u arrestuan në flagrancë.
Policia ka sekuestruar gjithashtu tre automjete të modifikuara për transport droge dhe pesë telefona celularë, të cilët po analizohen për të identifikuar lidhjet dhe strukturën e rrjetit kriminal.
Autoritetet italiane e kanë cilësuar operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas tyre, hetimi është pjesë e një strategjie afatgjatë për çmontimin e rrjeteve kriminale që veprojnë në veri të Italisë.
Lini një Përgjigje