TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Shkurt 2026, 20:57

“Ura” e kokainës mes Shqipërisë dhe Italisë, 26 të arrestuarit dalin para gjykatës më 23 mars

Shkruar nga Pamfleti
“Ura” e kokainës mes Shqipërisë dhe Italisë, 26
Foto ilustruese

Njëzet e gjashtë persona pritet të dalin para gjykatës në Bari më 23 mars, në kuadër të operacionit “Ura”, një hetim i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) që ka zbardhur lidhjet mes një grupi kriminal shqiptar dhe klaneve Parisi-Palermiti në zonën e Japigias.

Hetimi, i koordinuar nga prokurorët Ettore Cardinali dhe Daniela Chimienti, fokusohet në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës, pastrim parash dhe raste të shpërdorimit të detyrës. Sipas DIA-s, që nga viti 2016 janë dokumentuar lëvizje droge mes Ballkanit, Evropës Veriore, Amerikës së Jugut dhe rajonit të Pulias.

Autoritetet italiane raportojnë se janë dokumentuar dërgesa që përfshijnë rreth 255 kilogramë heroinë dhe kokainë të pastër, të mbërritura në Bari nga Shqipëria dhe Evropa Veriore. Po ashtu, hetimi ka rindërtuar një rrjedhë të vazhdueshme parash nga Puglia drejt Shqipërisë, si pagesë për drogën e tregtuar me shumicë. Sipas prokurorisë, transaksionet, që arrijnë vlerën totale prej rreth 4.5 milionë eurosh, janë kryer përmes shoferëve të autobusëve ndërkombëtarë.

Në të njëjtin kontekst, përmendet edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine si parapagim për një ngarkesë prej 500 kilogramësh kokainë nga Guayaquil, Ekuador.

Sipas hetuesve, grupi kriminal shqiptar dyshohet të ketë qenë përgjegjës për furnizimin dhe transferimin ndërkombëtar të narkotikëve, ndërsa klanet Parisi-Palermiti në Bari dyshohet se merreshin me prerjen, paketimin dhe shpërndarjen me shumicë në zonat e Barit, Brindisit dhe Leçes.

Mes të pandehurve italianë është edhe Massimiliano Fiore, i cilësuar nga DIA si lidhje kyçe mes trafikantëve shqiptarë dhe klanit Palermiti. Hetuesit dyshojnë se ai ishte i integruar në rrjetin kriminal të lagjes Madonnella dhe në kontakt me drejtues të dyshuar të grupit shqiptar, përfshirë Adi Coba, 33 vjeç, dhe Erigels Presi, 36 vjeç, si dhe me kreun e klanit Japigia, Eugenio Palermiti.

Gjatë një kontrolli në një vilë në Torre a Mare, e atribuar Fiores dhe e sekuestruar në tetor, autoritetet raportojnë se janë gjetur pajisje që dyshohet se përdoreshin për paketimin e narkotikëve.

Seanca paraprake do të hapet më 23 mars. Gjyqtarja Cafagna pritet të vendosë në muajt në vijim nëse të pandehurit do të dërgohen për gjykim. Sipas raportimeve, masa e paraburgimit për disa prej tyre skadon në muajin maj.

operacioni ura

Lini një Përgjigje