TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Shkurt 2026, 14:58

U dënua me 16 vite burg për vrasjen e Gentian Bejtjes, Ilir Beqaraj ankimon vendimin

Shkruar nga Pamfleti
U dënua me 16 vite burg për vrasjen e Gentian Bejtjes, Ilir Beqaraj
Autori Ilir Beqaraj dhe viktima Gentian Bejtja

Ilir Beqaraj ka depozituar ankim në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Shkallës së Parë në Tiranë, e cila e dënoi me 24 vite burg për vrasjen e Gentian Bejtjes, ngjarje e ndodhur më 15 mars të vitit të kaluar në Larushk të Fushë-Krujës.

Çështja ndaj tij është shqyrtuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka ka sjellë uljen e dënimit në 16 vite heqje lirie.

Avokatët e Beqarajt kërkojnë shpalljen e pafajësisë, si edhe rikthimin e çështjes për gjykim nga e para, duke pretenduar se procesi është shoqëruar me shkelje të rënda procedurale dhe hetim të paplotë.

Sipas dosjes hetimore, persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e banesës së Gentian Bejtjes pasi kanë kapërcyer rrethimin e jashtëm dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pak minuta pas atentatit, në një rrugë dytësore në fshatin Hasan të Fushë-Krujës, është gjetur i djegur një automjet tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.

Nga provat e administruara rezulton se Beqaraj, në periudha të ndryshme para ngjarjes, ka qenë me automjetin e tij në afërsi të banesës së viktimës. Kjo, sipas hetuesve, është provuar përmes të dhënave GPS të mjetit të marrë me qira prej tij.

Gentian Bejtja u qëllua me breshëri plumbash dhe humbi jetën në vendngjarje. Vrasja e tij dyshohet të ketë lidhje me disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë, ku ai mendohet të ketë pasur dijeni apo të ketë qenë i përfshirë. Viktima kishte shpëtuar më parë nga disa atentate, ndërsa më 4 korrik 2023, në një sulm në banesën e tij, mbeti i vrarë kunati i tij.

gentjan bejtja 16 vite burg ilir beqaraj ankimon vendimin

Lini një Përgjigje