Debatet me tone të larta kanë shoqëruar seancën e radhës në gjyqin për dosjen “Plumbi i Artë”, ku pati përplasje mes prokurorit Behar Dibra dhe avokates së Altin Ndocit, i cili është nën akuzë dhe është arratisur në muajin janar.
Gjatë seancës, prokurori Dibra hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes për fshehje provash.
“Kërkesat dhe deklaratat që thoni se ne kemi fshehur prova nuk është e vërtetë, nuk ka fshehje prove. Nëse nuk është sjellë, do ta sjellim”, u shpreh ai.
Nga ana e saj, avokatja Elda Zotaj kundërshtoi duke deklaruar: “Po e keni fshehur, pse s’i sillni provat apo ke frikë se je brenda? Po s’ke gjë për të fshehur, sill provat”.
Për shkak të debateve, gjykata vendosi të ndërpresë seancën. Sipas trupit gjykues, shqyrtimi do të vijojë me kërkesat e mëtejshme për provat. “Nuk do të kemi seancë javën që vjen”, deklaroi gjyqtarja, duke caktuar datën 3 mars, ora 10:00, për vijimin e procesit.
Gjatë seancës së sotme, Prokuroria e Posaçme lexoi procesverbalet e identifikimit të tre llogarive të “Sky” nga Nuredin Dumani, si edhe të pandehurve Henrik Hoxhaj, Aldo Baho, Erjon Alibej, Armand Tragaj, Ardian Subashi ose Çollaku, Arjan Saliu (i cili është vrarë) dhe Festim Qoli, ku sipas akteve rezultojnë episode të ndryshme kriminale.
Në komunikimet e lexuara në sallë përmenden vrasja e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, plane për të vrarë Indrit Doklen dhe Emiliano Ramazanin, si edhe procesverbale që lidhen me shkatërrimin me eksploziv të banesës së Talo Celës dhe vrasjen e Fatmira Dedjes. Po ashtu, u lexuan edhe procesverbale për ngjarje të tjera, përfshirë atë ndaj Sanxhaktarit dhe dy vëllezërve Haxhia.
Lini një Përgjigje