Policia zbuloi një apartament të përdorur për prostitucion në rrugën “Don Bosko” në Tiranë dhe arrestoi dy shtetase nga Kazakistani.
Në pranga ranë M. A., 34 vjeçe, dhe A. A., 37 vjeçe. Hetuesit po verifikojnë edhe rolin e dy personave të tjerë që dyshohet se përfitonin nga kjo veprimtari.
Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira, efektivët sekuestruan një shumë parash dhe katër telefona celularë. Autoritetet i referuan materialet hetimore Prokurorisë së Tiranës për vijimin e procedurave.
"DVP Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni i koduar “Foleja 5”. Ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Don Bosko”, arrestohen 2 shtetase nga Kazakistani. Procedohen penalisht 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari. Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari dhe 4 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara për një rast prostitucioni, kanë organizuar dhe finalizuar në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacionin policor të koduar “Foleja 5″.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetaset nga Kazakistani M. A., 34 vjeçe dhe A. A., 37 vjeçe, pasi nga hetimet rezultoi se ushtronin prostitucion, në një apartament që e kishin marrë me qira, në rrugën “Don Bosko”. Gjithashtu, nisi procedimi penal për 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Dy ditë më parë, policia ndërhyri në një tjetër apartament në rrugën “Çamëria”, ku arrestoi dy shtetase të tjera nga Kazakistani, 19 dhe 25 vjeçe. Një person tjetër në atë rast mbetet nën hetim.
Lini një Përgjigje