
Eraldo Musteqja është vënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin lokalit të Noizyt në zonën e Currilave. Mësohet se 26 vjeçari është kushëri me këngëtarin e njohur.
Ai është arrestuar në flagrancë mëngjesin e sotëm pasi u kap duke i vënë zjarrin lokalit të Noizyt për herë të dytë. Ndërsa më herët raportohet se i ka vënë zjarrin edhe banesës së nënës së këngëtarit.
Në momentin e arrestimit, kushëririt të Noizyt i është gjetur një thikë.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për zbardhjen e tre rasteve të zjarrvënieve ndaj biznesit dhe banesës së të njëjtës familje.
I vuri 2 herë (mëngjesin e sotëm dhe më datë 11.06.2023) zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë 26-vjeçari. I ndaluari, lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar. Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).
Si rezultat i punës intensive hetimore për disa raste zjarrvëniesh, të kryera gjatë periudhës 10.06.2023-29.06.2023, si dhe në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të situatës në nivel qarku, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”, në kuadër të të cilit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 26 vjeç.
Nga veprimet e shpejta dhe profesionale policore, 26-vjeçari (lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar) u kap në flagrancë mëngjesin e sotëm, pasi i kishte vënë zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, në pronësi të shtetasit B. R.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se i njëjti shtetas i ka vënë zjarrin të njëjtit lokal, më datë 11.06.2023, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, më datë 10.06.2023. Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtyre rasteve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje