
Albert Pashaj, i arrestuar nga SPAK si porositës i dy atentateve për të vrarë Aredin Beharin, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Në seancën e verifikimit të kushteve te masës së sigurisë ai ka mohuar të ketë lidhje me dy ngjarjet e ndodhura në vitet 2017 dhe 2019.
Pashaj ka pranuar se ka njohje me Henrik Hoxhajn pasi janë nga e njëjta zonë por ka mohuar ti ketë dhënë porosi për vrasje. Pavarësisht pretendimeve të paraqitura nga i dyshuari gjykata ka vendosur burg për Albert Pashain.
SPAK bën me dije se Aredin Behari, i cili i shpëtoi dy atentateve kishte një konflikt pronësie me porositësin për tregtimin e naftës. Ka qenë dëshmia e Hoxhajt ajo që ka fundos të arrestuarin, pasi i penduari tregoi për hetuesit se mori 80 mijë euro bashkë me Skerdi Tasen për të kryer vrasjen.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se, biznesmeni Aredin Behari, herë pas herë është vënë nën presion nga vëllezërit Ardian dhe Albert Pashaj, pasi pretendonin se ai nuk kishte shlyer një borxh të vjetër.
Për shkak të presioneve të vazhdueshme, Behari i dha rreth 40% të aksioneve të kompanisë së tregtimit të naftës Albert Pashajit. Por sërish ata pretendonin se ai kishte pa shlyer shuma të tjera monetare dhe për këtë i morën një banesë në qytetin e Fierit.
Mësohet se këtë pasuri Behari e fitoi nëpërmjet proceseve gjyqësore, pasi gjykata e Apelit në Vlorë i njohu atij pronësinë. Sipas SPAK, gjatë kësaj kohe Albert Pashaj pa dijeninë e vëllait tjetër Ardjanit, i ofroi Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasin 80 mijë euro për të ekzekutuar Aredin Beharin.
Dy atentatet e ndodhura në vitin 2017 dhe 2019 kanë dështuar, herën e parë objektivi u shpëtoi plumbave pasi u shtri dhe herën e dytë autorit iu bllokua arma. Pas dy ngjarjeve, Hoxhaj e Tase i kanë kthyer sërish shumat monetare Pashait.
Lini një Përgjigje