Nuk ndalet revolta kundër qeverisë dhe kastës politike
Protesta antiqeveritare ka hyrë në ditën e saj të 53-të. Qytetarët janë mbledhur fillimisht në Sheshin "Skënderbej", nga ku u nisën drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të artikulohen kërkesat e protestuesve.
Edhe në tubimin e sotëm kërkohet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama, një kërkesë që ka shoqëruar çdo protestë që prej nisjes së kësaj lëvizjeje.
Protestuesit kanë brohoritur slogane si: "Edi Rama, jep dorëheqjen", "Shqipëria kërkon revolucion", "Dorëheqje", "Rama ik, Berisha ik", "Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve", "Edi Rama, o legen, gjithë Shqipëria të urren", "Pa rini nuk ka Shqipëri", dhe "Shqipëria nuk është në shitje".
Protesta nisi fillimisht si një reagim kundër projektit të investimit prej 4 miliardë eurosh në zonën e Zvërnecit. Megjithatë, me kalimin e ditëve, lëvizja qytetare ka zgjeruar kauzën e saj, duke adresuar një sërë kërkesash ndaj qeverisë.
Konkretisht, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për statusin e investitorëve strategjikë, anulimin e "Paketës së Maleve", shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Tubimi pritet të vijojë me fjalime përpara godinës së Kryeministrisë, ku organizatorët do të përsërisin qëndrimet dhe kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.
Lini një Përgjigje