Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë zhvilluar një aksion gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Elbasanit.
Në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit ata kanë zhvilluar kontrolle në disa zona të qytetit për të shpallurit në kërkim, ndër to dhe i shumëkërkuari Talo Çela.
Deri më tani nuk bëhen me dije detaje nga operacioni por ajo që bie në sy është numri i lartë i FNSH.
Gjithashtu raportohet se në pranga janë vënë dhjetëra persona të cilët janë arrestuar gjatë natës në disa banesa.
Po kush është Talo Çela?
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Ai po ashtu është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës. Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.
Lini një Përgjigje