Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme lidhur me vendosjen e tritolit në lokalin e reperit të njohur Noizy, emri i vërtetë Rigels Rajku.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka nisur pas një konflikti në rrjetin social TikTok mes Kleviol Ahmetit dhe Noizyt, i cili më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike dhe plan për hakmarrje.
Tafani deklaroi se grupi ishte mbledhur në zonën e Astirit, ku diskutuan për vendosjen e eksplozivit. Sipas tij, Laerti ka insistuar që Noizyt t’i vihej tritol pas konfliktit me Kleviol Ahmetin.
I penduari i drejtësisë ka treguar se fillimisht ishte menduar që lënda plasëse të vendosej brenda lokalit, por më pas plani është ndryshuar dhe eksplozivi është lënë pranë një dyqani në katin përdhes të godinës.
Në dëshminë e tij, Tafani ka përshkruar edhe mënyrën e përgatitjes së lëndës plasëse dhe lëvizjet e tyre drejt lokalit.
Dëshmia e plotë e Artan Tafanit:
“Kemi ndenjur në Astir. Gjatë kësaj kohe Laerti ndiqte TikTok-un. Kleviol Ahmeti është nga Lushnja, te lagjja e Laertit. Atë ditë Kleviol Ahmeti është zënë me Noizyn. Janë ofenduar në TikTok. Kanë shkuar edhe te lokali dhe janë zënë. Klevioli dhe Laerti janë rritur bashkë. Nuk i erdhi mirë Laertit që ishte rrahur Klevioli. Laerti po thoshte t’i vendosim tritol Noizyt pse ka rrahur Kleviolin. Vëllai i Laertit, Luisi, po diskutonte nga Gjermania në kamera me Laertin. I tha vëllai: çfarë bëni, mos bëni gabim ta vendosni. Në një moment e lanë. Mori nëna e Laertit në telefon, po diskutonin për goditjen e Kleviolit. Gjynah si e goditi Noizy Kleviolin. Më tha mua dhe Lulzimit: çohuni vendoseni tritolin. E bëmë gati, kishim tritol në shtëpi. Shkoni në orën 4, tha.
Tritolin e merrnim në Tepelenë. E izoluam me ngjitës, 100–200 gramëshe, i bëra bashkë. U nisëm, përgatitëm makinën, u nisëm me makinën time. E dinte Lulzim Spahia lokalin. Shkuam atje, parkova afër lokalit. Laerti na tha ta hidhnim brenda në lokal tritolin.
Nuk po gjeja nga shkallët nga të hyja në kat të dytë. U ktheva prapë te makina, i them ta vendos te dyqani i rrobave poshtë. Mirë, thotë, vendoseni te dyqani. E ndeza fitilin dhe ika tek makina. Pasi ikëm disa metra dëgjuam shpërthimin, i shkruajtëm Laertit që e vumë shpërtheu, dhe u kthyem në shtëpi”.
Lini një Përgjigje