TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Maj 2026, 18:14

Nga Fushë-Kruja në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, transferohet sërish Durim Bami!

Shkruar nga Pamfleti

Nga Fushë-Kruja në burgun e sigurisë së lartë në

Durim Bami është transferuar sërish nga burgu, këtë herë nga burgu i Fushë-Krujës në atë të sigurisë së lartë në Peqin.

Mësohet se, transferimi është kryer gjatë ditës së sotme nga Forcat Operacionale të Burgjeve (DAP), ndërsa zyrtarisht nuk janë bërë publike arsyet e lëvizjes së tij.

Megjithatë, sipas burimeve pranë sistemit të burgjeve, një nga faktorët kryesorë lidhet me sigurinë e Durim Bamit.

Pak kohë më parë, Bami kishte kërkuar të largohej nga burgu 313, duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik. Pas kësaj kërkese, ai u transferua në burgun e Fushë-Krujës, ndërsa tashmë është dërguar në Peqin, një prej burgjeve të sigurisë së lartë në vend.

Ndërkohë, ditët e fundit janë zhvilluar kontrolle intensive në disa qeli, si në burgjet e sigurisë së zakonshme ashtu edhe në ato të sigurisë së lartë. Gjatë këtyre kontrolleve u zbuluan sende të paligjshme, që nga mjete të improvizuara prerëse deri te telefona celularë dhe orë inteligjente, të cilat dyshohet se janë mbajtur ilegalisht nga të burgosurit në qeli.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar një plan masash që synon goditjen e sendeve të ndaluara brenda qelive, kryesisht telefonave celularë.

Po ashtu, kontrollet kanë në fokus edhe ndalimin e takimeve speciale të disa të burgosurve VIP, për të cilët dyshohet se takohen me gra dhe vajza që nuk janë bashkëshortet e tyre.

Kujtojmë se, Durim Bami kërkoi zhvendosjen një ditë pas ekstradimit të tij nga Dubai, me pretendimin se në burgu 313 në Tiranë, në IEVP 302 në rrugën “Mine Peza”, si edhe në burgjet e Peqinit dhe Reçit në Shkodër, ndodhen persona që paraqesin rrezik për jetën e tij. Sipas kërkesës, burgu i Fushë-Krujës konsiderohej si alternativa më e përshtatshme.

Durim Bami ndodhet në masën “arrest në burg” me vendim të Gjykatës së Posaçme, i akuzuar për disa vepra penale, mes tyre sigurim kushtesh për vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kultivim narkotikësh. Sipas hetimeve, ai dyshohet për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale, të cilat vijojnë të jenë nën hetim.

Në burgun e Peqinit është transferuar edhe Lulzim Berisha, i cili mbahej në burgun e Durrësit. Transferimi i tij vjen pak ditë pas videoskandalit ku një grup të burgosurish, përfshirë vetë Lul Berishën, festonin brenda në një qeli në paraburgimin e Durrësit. 

durim bami burg drejtoria e përgjithshme e burgjeve

Lini një Përgjigje