TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Maj 2026, 10:33

Nga 40-45 mijë euro për trafik drejt SHBA, GJKKO dënon Luc Melajn; konfiskohen prona dhe para

Shkruar nga Pamfleti

Nga 40-45 mijë euro për trafik drejt SHBA, GJKKO dënon Luc

GJKKO ka dënuar me 8 vite burg Luc Melajn, i akuzuar si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e emigrantëve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas hetimeve të SPAK, Melaj organizonte kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë kundrejt shumave që varionin nga 40 mijë deri në 45 mijë dollarë për person. Prokuroria pretendon se grupi kriminal kishte ndihmuar të paktën 25 persona për të emigruar ilegalisht drejt SHBA-së.

Përveç trafikimit të emigrantëve, Luc Melaj u shpall fajtor edhe për falsifikim dokumentesh, drejtim të grupit të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.

Fillimisht, GJKKO e dënoi Melajn me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 8 vite burgim. Vuajtja e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Në të njëjtin proces u dënuan edhe Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj, të cilët u shpallën fajtorë për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Të dy u dënuan me nga 4 vite burg, por gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në provë për një periudhë 3-vjeçare.

Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e pasurive të Luc Melajt, ku përfshihen rreth 1.7 milionë lekë, mijëra euro e dollarë, si dhe dy automjete të sekuestruara gjatë hetimeve.

Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal përdorte dokumente të falsifikuara dhe organizonte itinerare të ndryshme tranziti për të mundësuar kalimin e emigrantëve drejt SHBA-së.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 135 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Luc Melaj, Gëzim Camaj dhe Emanuel Melaj”.

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 40, datë 13.05.2026 vendosi:

Deklarimin fajtor të Luc Melaj për veprat penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh dhe municioni”.

Në bashkim të dënimeve, Luc Melaj u dënua me 12 vite burgim, dënim i cili u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burgim.

Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj u shpallën fajtorë për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe u dënuan përfundimisht me nga 4 vite burgim, me pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe vendosje në provë për 3 vite.

Gjykata urdhëroi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të shumave monetare të sekuestruara ndaj Luc Melaj, konkretisht 625 mijë lekë, 8125 euro, 3060 dollarë amerikanë dhe 240 dollarë kanadezë.

U konfiskuan gjithashtu dy automjete në pronësi të Luc Melajt, një “Mercedes Benz” dhe një “Volkswagen Touran”, si dhe disa aparate celularë të sekuestruar gjatë hetimeve.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", thuhet në njoftimin e GJKKO.

Lini një Përgjigje