
Gjykata e Beratit ka dënuar katër persona të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në një lokal nate në qytetin e Dimalit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, aktiviteti kriminal zhvillohej në lokalin “Star Club”, ku klientëve u shitej kokainë në doza të vogla, të cilat konsumoheshin më pas në ambientet e tualetit të lokalit.
Në qendër të skemës ishte pronari i lokalit shtetasi E.V., i cili organizonte dhe koordinonte shitjen e drogës. Në këtë aktivitet dyshohet se përfshiheshin edhe bodyguardi, menaxheri dhe kamarieri i lokalit.
Hetimet nisën pas informacioneve se E.V. merrej me shpërndarjen e kokainës me intensitet të lartë në qytet dhe zonat përreth.
Prokuroria zbuloi se lënda narkotike mbahej e fshehur në një bllok të murit rrethues të lokalit, ndërsa pjesa tjetër ruhej në banesën e pronarit. Kokaina shitej në doza nga 0.2 deri në 0.5 gramë, me çmime që varionin nga 2 mijë deri në 5 mijë lekë.
Nga përgjimet dhe blerjet e simuluara rezultoi se të pandehurit përdornin termin “amaro” si kod për kokainën, me qëllim shmangien e dyshimeve gjatë komunikimeve mes tyre.
Gjykata shpalli fajtorë katër të akuzuarit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Pronari i lokalit me inicialet E.V., u dënua me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 8 vite burgim.
Ndërsa tre të pandehurit e tjerë me inicialet K.I., K.D. dhe R.I., u dënuan secili me nga 4 vite e 8 muaj burg.
“Deklarimi fajtor i të pandehurit E.V. për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 12 vite burgim. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 8 vite burgim;
Deklarimi fajtor i të pandehurit K.I. për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve” dhe dënimin e tij me 7 vite burgim. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim;
Deklarimi fajtor i të pandehurit K.D. për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve” dhe dënimin e tij me 7 vite burgim. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim;
Deklarimin fajtor të të pandehurit R.I për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, dhe dënimin e tij me 7 vite burgim. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim”, njoftoi Prokuroria.
Lini një Përgjigje