
Policia e Sarandës ka zbardhur plagosjen me thikë të ndodhur paraditen e djeshme. Policia ka njoftuar se ka arrestuar autorin e dyshuar pas disa orësh kërkime.
Sipas të dhënave zyrtare, në pranga ka rënë Ylber Hamzaj, 45 vjeç, banues në Kryemadh të Kukësit, i cili akuzohet se plagosi me thikë 42-vjeçarin Olsi Muçodemi.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit mes dy personave, të cilët nuk kishin njohje me njëri-tjetrin. Burime nga hetimi bëjnë me dije se debati nisi për motive banale, pas një sherri verbal me shprehjen “pse më sheh”.
Gjatë konfliktit, 45-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë thikën dhe ka goditur Muçodemin, duke i shkaktuar plagë në gjoks dhe në dorë.
Pas sulmit, autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me qëllim shmangien e arrestimit dhe dyshohet se po tentonte të largohej nga Saranda.
Policia arriti të identifikojë autorin përmes kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të ngjarjes dhe organizoi kontrolle në disa zona të qytetit. 45-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në zonën e Qafës së Gjashtës. Bëhet me dije se, në momentin e arrestimit, autori ndodhej në gjendje të dehur.
Mësohet gjithashtu se Hamzaj kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Sarandë për arsye pune.
Ndërkohë, 42-vjeçari i plagosur po merr trajtim mjekësor, ndërsa policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Lini një Përgjigje