TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Maj 2026, 11:20

Vrau dhe murosi shqiptaren Sibora Gagani, italiani pranon krimin: Unë jam autori!

Shkruar nga Pamfleti

Vrau dhe murosi shqiptaren Sibora Gagani, italiani pranon krimin: Unë jam

Marco Romeo, shtetasi italian i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e ish-partneres së tij Paula në Torremolinos në vitin 2023, ka pranuar për herë të parë se është autori i vrasjes së shqiptares Sibora Gagani, një ngjarje e ndodhur në vitin 2014.

Sipas mediave spanjolle, 48-vjeçari kishte mohuar prej vitesh përfshirjen në vrasjen e 22-vjeçares shqiptare, duke pretenduar se vetëm kishte fshehur trupin e saj pas vdekjes. Madje, ai kishte akuzuar më herët autoritetet spanjolle për manipulim të hetimeve ndaj tij.

Por në një dokument të fundit të paraqitur nga mbrojtja, Romeo ka ndryshuar versionin e tij, duke pranuar se e vrau të renë brenda apartamentit ku jetonin bashkë dhe më pas fshehu trupin në një mur të dyfishtë të ndërtuar në banesë.

Trupi i Sibora Gaganit u zbulua pas arrestimit të tij për vrasjen e një tjetër gruaje, Paula. Sipas hetimeve të policisë spanjolle, 22-vjeçarja ishte vendosur në një kuti druri dhe ishte mbuluar me gëlqere për të penguar dekompozimin dhe zbulimin e trupit.

Pranë kufomës, hetuesit sekuestruan edhe një thikë me gjurmë gjaku, si dhe një tufë lulesh.

Sipas Prokurorisë spanjolle, Romeo dhe Sibora Gagani ishin njohur në vitin 2009 në qytetin italian Nettuno, kur e reja shqiptare ishte vetëm 18 vjeçe. Një vit më vonë, çifti ishte transferuar në Spanjë për të jetuar në Torremolinos.

Hetimet tregojnë se krimi ka ndodhur gjatë periudhës 7-14 korrik 2014. Sipas akuzës, italiani e ka sulmuar shqiptaren me thikë, duke i shkaktuar disa plagë fatale, përfshirë goditje në shpinë.

Prokuroria kërkon 22 vite burg për Marco Romeon për akuzat e vrasjes me paramendim në kuadër të dhunës gjinore dhe fshehjes së kufomës.

Ndërkohë, avokatët mbrojtës kundërshtojnë akuzën për paramendim, duke pretenduar se ngjarja nuk ishte planifikuar. Megjithatë, prokuroria spanjolle argumenton se mënyra si u fsheh trupi tregon një veprim të organizuar dhe të ftohtë nga ana e autorit.

Vrau dhe murosi shqiptaren Sibora Gagani, italiani pranon krimin: Unë jam

Lini një Përgjigje