TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Mars 2025, 15:40

Tregtonte drogë me stampën e ‘El Chapo’, arrestohet shqiptari në Itali

Shkruar nga Pamfleti

Tregtonte drogë me stampën e ‘El Chapo’, arrestohet

Një 27-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia italiane pasi u kap duke tregtuar drogë në një nga zonat e Romës.

Ajo që i bëri përshtypje efektivëve ishte se mbi pakon ku ndodhej lënda narkotike ishte një foto e bosit të kartelit të Sinaloas në Meksikë, Joaquin “El Chapo Guzmàn”.

Shqiptari e kishte stampuar foton në pakon e hashashit që po shiste, shenjë kjo e një admirimi në dukje të kapos meksikan, por edhe të cilësisë së lëndës narkotike.

Operacioni u krye në zonën e Cittaducale, teksa u sekuestruan 100 gramë lëndë narkotike.

Efektivët kishin qëllim kontrollin e banesës së një personi të skeduar, kurse brenda gjetën edhe 2 shqiptarë, 27 dhe 30 vjeç, që po qëndronin aty përkohësisht.

Por kontrolli fizik ndaj 27-vjeçarit, zbuloi se ai mbante të fshehur në trup pakon e drogës me “El Chapo”, me vlerë 1 mijë euro në treg. Ky detaj nuk ishte i pazakontë sipas shefit të karabinierëve, Toni Bocchino:

“Është e zakonshme që këta trafikantë të përdorin figurat e kapove të drogës nëpër pako”, shprehet ai.

Nga hetimi rezultoi se të rinjtë ishin rezidentë në Bari, por kishin udhëtuar deri në Romë tek miku i tyre, nën dyshimin për trafik droge.

Ndaj 30-vjeçarit u lëshua urdhri i dëbimit, pasi ishte i parregullt në Itali dhe u përcoll nga agjentët deri në aeroportin e Fiumicino.

Kurse 27-vjeçari pas arrestimit u izolua në paraburgim, në pritje të masës së arrestit nga gjykata.

 

Lini një Përgjigje