
Pas përfundimit të protestës kombëtare të opozitës, 22 persona janë shoqëruar në polici. Mësohet se në Komisariatin nr.1 ndodhen rreth 6 persona të shoqëruar, ndërsa pjesa tjetër është dërguar në Komisariatin nr.2 dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Ndërkohë tre deputetë të Partisë Demokratike, Eno Bozdo, Oerd Bylykbashi dhe Gjin Gjoni, së bashku me përfaqësues ligjorë të partisë, kanë mbërritur në Komisariatin nr.1 për të kërkuar sqarime mbi procedurat e shoqërimit dhe për të ndjekur situatën nga afër.
Policia pretendon se këta qytetarë kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës, përfshirë hedhjen e bombave molotov në drejtim të efektivëve të forcave të rendit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PD-së e konsiderojnë shoqërimin të padrejtë dhe kërkojnë transparencë të plotë mbi arsyet dhe procedurat e ndjekura. Në Komisariatin nr.1 situata paraqitet e qetë, ndryshe nga protestat e mëparshme, megjithëse kanë pasur momente tensioni mes deputetëve të PD-së dhe drejtuesve të policisë.
Lini një Përgjigje