Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme, ku ka dhënë detaje mbi disa episode kriminale dhe rolin e Nuredin Dumanit në to.
Gjatë dëshmisë, Hoxhaj deklaroi se Nuredin Dumani i kishte kërkuar të vriste biznesmenin Elton Kila, i njohur si “Oti”, pasi sipas tij kishte informacione se Kila strehonte Talo Çelën. Sipas Hoxhajt, ekzekutimi nuk u realizua pasi Kila përfundoi në burg.
"Pas ngjarjes komunikova në telefon me Nuredinin. Unë u ndjeva pak në siklet, por nuk tha gjë që nuk u ekzekutua objektivi. Me Nuredinin kemi folur për çështjen e “Otit”. Herën e dytë e kam pritur në Kukës, shkova me një BMë me qira. Dërgoja dikë që të merrte makinën me qira. U takuam në Kukës dhe vajtëm në Fier, shkuam te shtëpia e Altin Kule, një shoku im, nuk jetonte njeri, ishte bosh. I thashë atij më duhen çelësat dhe kaq. Nuredini ishte në kërkim asokohe. Oti Kilën e njihja më përpara. Ne do merrnim masat për ta ekzekutuar, pastaj qëlloi që ai ra në burg për punën e motorit dhe u la ai muhabet. Nuredini kishte informacion se Oti strehonte Talo Çelën", deklaroi ai.
Hoxhaj tregoi gjithashtu se ditën e arrestimit ndodhej në Elbasan, ndërsa Dumani po e priste në Peqin. Ai përshkroi lëvizjet, automjetet e përdorura dhe kontaktet e asaj periudhe, duke theksuar se persona të tjerë nuk ishin përfshirë në këtë episod.
"Unë e kam parë disa herë te biznesi i tij, shiste makina në Elbasan, diku në Bradashesh. Skerdi Tasen nuk e përfshimë fare. Nuredini më kërkoi të mos i tregoja Skerdit vendndodhjen e tij sepse ishte në kërkim. Unë shkova te biznesi i Otit, nuk e pashë aty dhe ika. Kur nuk po e gjenim dot, u kthyem në Fier me Nuredinin. Unë pata një Benz, e mora me qira në Fier. Nuredini pati një BMë X5, e pata marrë unë në Kamëz, në Tiranë. E mora te Aleksandër Baho “Sakati”. Makinën e mora me Skerdin. Skerdi rastisi, nuk e mora kastile. Unë nuk pata armë, armët ishin te “makina e punës”, aty duheshin armët. Armët i pati provuar Nuredini, bëmë qitje andej urës së Semanit. Unë nuk kam pasur lidhje me njeri në Elbasan. Unë isha në Elbasan ditën që u arrestuam, ndërsa Nuredini ishte në Peqin po më priste mua", tregoi Hoxhaj.
Në një tjetër pjesë të dëshmisë, Hoxhaj foli për momentin kur Dumani u plagos dhe për përpjekjet për ta ndihmuar.
"Sa kaloj unë në Cerrik, më ndaluan disa punonjës policie në Cërrik. I dhashë 20 mijë lekë dhe më lanë të ikja. Pastaj më shkruan Nuredini, më thotë “O kusho hajde se më vranë”. Shkova atje, e marr Nuredinin , “Liliputin” e ngre e hipi mbrapa te makina ime. Mora dhe dy armët. Më tha me ço në Durrës. Nuk e çoja dot, dhe e mora në Fier. E çova të shtëpia ku rrinte ai. Mora në telefon një të njohurin tim Bledin. I thashë më duhen dy doktorë. I tregova armën dhe i thashë do vini se s’bën te shtëpia. E pashë Nuredinin i ishte nxirë buza. Më thanë do i ketë shkuar plumbi në stomak. Në sallë nuk e fusim dot, i detyrova ta zgjidhnin aty ta shpëtonin atë palaçon", vijoi ai.
Hoxhaj shtoi se nuk e kuptoi mënyrën se si policia arriti në vendngjarje dhe kreu arrestimet, ndërsa foli edhe për versionin që Dumani i kishte dhënë për atentatin.
"Pastaj erdhi policia aty, nuk e di se si. Unë Nuredinin e kam mbajtur dhe në mes të Tiranës. Pastaj Nuredini na shiti të gjithëve. Ne kemi vrarë 100 si puna e Nuredinit. Kur e pyeta Nuredinin për ngjarjen, me tha mua ishin 4 veta, 3 me maska , shoferi pa maskë ishte Talo Çela. Unë nuk e besova, por kështu më tha", përfundoi ai.
Në vitin 2018, ndaj Elton Kilës ishte organizuar një atentat që dështoi, ku sipas hetimeve dyshohej se urdhri ishte dhënë nga Suel Çela dhe ekzekutimi nga Nuredin Dumani, i cili mbeti i plagosur. Vetë Kila, në një dëshmi të mëparshme në GJKKO, ka deklaruar se nuk ka njohje me Dumanin dhe se nuk ishte në dijeni që kishte qenë objektiv i një atentati, duke shtuar se pas ngjarjes kishte qëndruar për një periudhë jashtë vendit.
Lini një Përgjigje