
Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 26-vjeçarin Arbër Xhaxhaj i cili shkaktoi aksidentin me vdekje dy ditë më parë në Urën e Dajlanit.
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Arbër Xhaxhajn, i cili shkaktoi aksidentin tragjik te ura e Dajlanit, ku si pasojë humbi jetën Vikena Greku, 18 vjeçe.
I riu humbi kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe ra nga ura e Dajlanit. Si pasojë një 18-vjeçare, pasagjere në mjet humbi jetën, ndërsa dy këmbësorë dhe vetë Xhaxhaj mbetën të lënduar.
Ndaj të riut rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur dhe si pasojë e shpejtësisë 130 km/h, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ura.
26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë ndihmë mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa.
Lini një Përgjigje