
Dritan Rexhepi, shfrytëzoi të drejtën e tij për të mos dëshmuar në procesin ndaj Altin Hajrit në Gjykatën e Posaçme.
Hajri po gjykohet në mungesë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Rexhepi, i cili gjykohet për të njëjtën ngjarje në një proces paralel, u paraqit në gjyq për të dhënë shpjegime si i bashkëpandehur në një procedim të lidhur.
I pyetur nga Gjykata, ai nuk dha pëlqim për të dhënë dëshmi. Për të dëshmuar nuk pranoi edhe Aldo Majnishta, i cili është gjithashtu në gjykim për rrëmbimin e zhdukjen e Prengës.
Ndërkohë, seanca u shty për më 12 maj, kohë gjatë së cilës do të përsëriten thirrjet për familjarët e Jan Prengës, që ndodhen jashtë shtetit.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i akuzuar për pesë vepra penale në lidhje me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës në 17 janar të vitit 2020.
Porositësi i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës dyshohet se është Dritan Rexhepi, pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me kokainë në pronësi të tij dhe bashkëpunëtorëve.
Dritan Rexhepi i arrestuar më Stamboll në 10 nëntor 2023, u ekstradua më 8 janar 2025 në Tiranë dhe u dërgua direkt në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie.
Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë, ku u transportua në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.
SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfimuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.
Lini një Përgjigje