Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 10 personat e arrestuar pjesë e një grupi të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike, të goditur gjatë një operacioni policor në fundjavë.
Aksioni, i zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit dhe me mbështetjen e FNSH-së, u shtri njëkohësisht në Përrenjas, Librazhd dhe Elbasan. Si rezultat, përveç personave të arrestuar, edhe 7 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe para të dyshuara nga aktiviteti i paligjshëm, konkretisht “8 kg kanabis sativa, 100 gr kokainë dhe shuma parash”.
Sipas raportimeve nga policia, hetimet për grupin i cili merrej me shpërndarjen e kokainës kishin nisur rreth 10 muaj më parë dhe janë zhvilluar nëpërmjet agjentëve të infiltruar dhe dokumentimit me pamje filmike. Gjithashtu, gjatë aksionit policor u kontrolluan dhjetëra banesa në zonat e përfshira.
Ky aksion vjen në vijim të operacioneve të mëparshme të koduara “Rrjeti” dhe “Tempulli”, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe identifikimin e të tjerëve të përfshirë.
Lini një Përgjigje