TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Maj 2026, 17:42

Kërkoi shtyrje të dënimit dhe mosrikthimin në qeli, GJKKO rrëzon Jorgo Goron

Shkruar nga Pamfleti
Kërkoi shtyrje të dënimit dhe mosrikthimin në qeli, GJKKO
Jorgo Goro

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili kërkonte shtyrjen e ekzekutimit të dënimit dhe shmangien e rikthimit në qeli për një çështje të dytë penale.

Në vendimin e saj, GJKKO ka lënë në fuqi kërkesën e SPAK për rikthimin e Goros në burg, pasi ka vlerësuar se kërkesa e tij nuk mbështetet në prova dhe ligj.

“Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit, të dënuarit Jorgo Goro, me objekt: ‘Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025…’, si të pambështetur në prova dhe ligj”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ky zhvillim vjen pasi Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me dy vite burg për Goron, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ai të rikthehet në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Sipas përllogaritjeve të prokurorisë, ish-kryebashkiakut i kanë mbetur edhe “6 muaj e 10 ditë burg” për të shlyer.

Goro u lirua më 29 gusht 2025, ndërsa më herët ishte dënuar për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e Himarës. Çështja lidhet me një seri hetimesh për abuzime me pronat në bregdet, përfshirë edhe transferime të dyshuara të paligjshme.

Ndaj tij rëndon edhe një tjetër dosje, ku është akuzuar për përfshirje në skema të tjetërsimit të pronave përmes dokumenteve të falsifikuara. Për këtë çështje, ai është dënuar më parë me “2 vjet e 20 ditë burg”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Çështja u apelua.

Vendimi i sotëm pritet të ankimohet nga Goro në Apelin e GJKKO-së, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të rikthehet menjëherë në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Gjithashtu, Goro është dënuar me 5 vite ndalim për të mbajtur funksione publike, si dhe i është sekuestruar një apartament.

Ish-kryebashku socialist i Himarës Goro u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke.

Goro fillimisht u arrestuar për një çështje tjetër si pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit, bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, i shpallur investitor strategjik nga qeveria “Rama”. Për këtë çështje, Goro u deklarua fajtor dhe u dënua më 13 mars me 2 vjet e 20 ditë burg.

Vendimi i GJKKO-së:

“Kërkuesi Jorgo Goro me datë 31.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pezullimin e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 476 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 258, datë 05.05.2026, vendosi:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit, të dënuarit Jorgo Goro, me objekt: “Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në prova dhe ligj.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

jorgo goro gjkko kerkese lirim

Lini një Përgjigje