TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Maj 2026, 12:28

“Isha me 30 km/h dhe kisha pirë një birrë”, dëshmia e shoferit: Devijova automjetin që më preu rrugën kur përplasa fëmijët

Shkruar nga Pamfleti
“Isha me 30 km/h dhe kisha pirë një birrë”,
Shoferi i aksidentit në Durrës, Nikoll Radaçi

Në dëshminë e tij para hetuesve, Nikoll Radaçi ka dhënë versionin e tij mbi rrethanat e aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur. Ai pretendon se ka devijuar drejtimin e mjetit për të shmangur një automjet tjetër që, sipas tij, doli papritur nga një rrugicë, duke përfunduar më pas mbi trotuarin ku ndodheshin fëmijët.

Sipas deklarimeve, pas përplasjes ai nuk ka mundur të ndalojë menjëherë, por ka vijuar për disa metra përpara. Më pas, ka zbritur nga automjeti dhe u ka kërkuar punonjësve të një dyqani aty pranë të njoftonin policinë, duke pritur në vendngjarje deri në mbërritjen e efektivëve.

“Rreth orës 14.00 kam dalë nga shtëpia bashkë me mjetin me targa AB 909 PC dhe do të shkoja të merrja një vegël pune tek një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani derisa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, thotë ai.

57-vjeçari përballet me akuzat për “largim nga vendi i aksidentit” dhe “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se nuk mban mend detaje mbi automjetin tjetër që, sipas tij, shkaktoi devijimin, si dhe ka pohuar se nuk i njihte fëmijët.

Në lidhje me shpejtësinë, Radaçi ka deklaruar se po lëvizte me rreth 30 km/h. Ndërkohë, për testin e alkoolit, ai ka pranuar konsumimin e pijeve alkoolike para drejtimit të mjetit.

“Përpara se të drejtoja automjetin, unë kam pirë një birrë në mëngjes”, është shprehur ai.

Sipas të dhënave zyrtare, Nikoll Radaçi është lindur në Mirditë dhe banon në Durrës, ndërsa ka arsim 7-vjeçar.

Lini një Përgjigje