Nikoll Radaçi, autori i aksidentit tragjik ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një i tretë, pritet të dalë këtë të martë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr. 15 të Durrësit. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar kur u përplasën nga një automjet i drejtuar nga Radaçi, i cili, sipas të dhënave paraprake, shoferi ishte në gjendje të dehur dhe po lëvizte me shpejtësi të lartë.
Si pasojë e përplasjes, humbën jetën Enea Muçaj, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, ndërsa një tjetër fëmijë, 8 vjeç, mbeti i plagosur rëndë, por arriti të mbijetojë.
Ndërkohë, janë rikthyer në vëmendje edhe të dhëna mbi precedentët e drejtuesit të mjetit. Sipas informacioneve, katër vite më parë atij i është pezulluar patenta për vetëm një muaj për tejkalim shpejtësie, ndonëse Kodi Rrugor parashikonte një masë më të ashpër, deri në tetë muaj heqje leje drejtimi.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka sjellë përplasje politike mes opozitës dhe mazhorancës. Në seancën e djeshme plenare në Kuvend, u kërkua forcimi i masave në Kodin Rrugor për të parandaluar raste të ngjashme.
Lini një Përgjigje