Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në aksin rrugor Dimal-Berat, ku si pasojë ka humbur jetën një 54-vjeçar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:25 në fshatin Otllak, ku një 45-vjeçar, duke lëvizur me motor, është përplasur me një automjet tip BMW, që drejtohej nga një 34-vjeçare. Për pasojë, pasagjeri që ndodhej në motor ka “fluturuar” dhe është përplasur në rrugë duke gjetur vdekjen.
Viktima është shtetasi Adrian Azemi, 54-vjeç, ndërkohë që drejtuesi i motorrit Alban Gajda, 45-vjeç, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
"Rreth orës 12:25, në aksin rrugor Berat-Dimal, në fshatin Otllak, shtetasi A. G., 45 vjeç, duke drejtuar motomjetin e tij, është përplasur me një automjet me drejtuese shtetasen D. M., 34 vjeçe.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën pasagjeri i motomjetit, shtetasi A. A., 54 vjeç, ndërsa është dëmtuar drejtuesi i tij, shtetasi A. G., i cili po merr mjekim në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit", njofton policia.
Lini një Përgjigje