Dy ambiente të cilat ishin përshtatur për organizimin e lojërave të fatit janë zbuluar nga policia në Tiranë, në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”.
Në një prej lokaleve të zbuluara, në rrugën “Sitki Çiço”, u arrestua administratori i lokalit, shtetasi E. H., 39 vjeç. Gjatë kontrollit në ambient u gjetën dy tavolina pokeri, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Ndërkohë ka nisur procedimi penal për administratorin 55-vjeçar të një lokali tjetër të zbuluar. Sipas të dhënave, gjatë kontrollit në telefonin e tij u konstatuan aplikacione që përdoreshin për baste sportive.
Operacioni vijon, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
"Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”.
Zbulohen 2 lokale ku organizoheshin lojëra fati. Vihet në pranga administratori i njërit lokal, procedohet penalisht administratori i lokalit tjetër.
Sekuestrohen tavolina pokeri dhe pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 3, në vijim të kontrolleve në lokale dhe subjekte të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së tyre për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, zbuluan 2 lokale ku organizoheshin lojëra fati.
Për këto raste:
-u arrestua shtetasi E. H., 39 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin që administronte, në rrugën “Sitki Çiço”, u konstatua se kishte përshtatur ambientin për organizimin e lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 tavolina pokeri që u gjetën në lokal;
-u procedua penalisht shtetasi E. C., 55 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën aplikacione për baste sportive.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje