TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Qershor 2025, 12:07

Nga Suel Çela te Ervis Martinaj dhe Florenc Çapja, SPAK çon për gjykim edhe fraksionin me 11 të pandehur

Shkruar nga Pamfleti
Nga Suel Çela te Ervis Martinaj dhe Florenc Çapja, SPAK çon
Suel Cela, Talo Çela, Florenc Çapja dhe Ervis Martinaj, 4 nga të pandehurit e dosjes

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për proces gjyqësor në GJKKO prej një muaji një prej fraksioneve të dosjes “Plumbi i artë”, bazuar në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Çështja ka 11 persona të pandehur, shumë prej tyre edhe krerë të organizatave kriminale dhe emra të dëgjuar të botës së krimit si Suel Çela (Marjus Lulaj), Florenc Çapja, Talo Çela, Festim Qoli, Kamber (Agron) Mehja, Eljo (Ervis) Bitri dhe mbreti i kumarit i zhdukur prej tre vitesh pa gjurmë, Ervis Martinaj.

Të tjerët e marrë të pandehur në dosje janë: Abedin Mama (Dine Çami), Aleks Çela (Tom Qorri), Alket Xhixha dhe Elvin Merlika. Qoli është i shpallur në kërkim, ashtu sikurse Suel Çela, Talo Çela dhe Ervis Martinaj, fati i të cilit nuk dihet ende.

Hetimet janë kryer nga prokurorët Doloreza Musabelli dhe Behar Dibra, teksa i kërkohet GJKKO-së kalimi i dosjes në proces dhe aktualisht ndodhet në seancë paraprake.

Të pandehurit akuzohen për shumë ngjarje të rënda kriminale, që nga financimi, organizimi, urdhërimi, ekzekutimi dhe bashkëpunimi. Dy prej ngjarjeve kriminale janë të rënda, vrasje, me të paktën 4 viktima, të tjerat tentativa vrasjeje, sulme, atentate me eksploziv.

Një prej çështjeve të fraksionit është vrasja e nënë e bir, Fatmira Dedaj dhe Elvis Dedaj, ngjarje të ndodhura mbi një dekadë më parë dhe për të cilat akuzohet si urdhërues Festim Qoli. Fillimisht sipas SPAK, Qoli ka kryer vrasjen e ortakut të tij Elvis Dedaj dhe më pas ka urdhëruar edhe eliminimin e nënës, të cilin sipas dëshmisë së Dumanit, e ka bërë Talo Çela.

SPAK ka ngritur akuzën për të paktën 2 vrasje ndaj Festim Qolit, “vrasje me paramendim” dhe “pjesëmarrje në grup strukturuar kriminal”. Qoli dhe Dedaj kishin një biznes të përbashkët, por kur Dedaj ka dashur të ndajë biznesin, Qoli ka financuar dhe urdhëruar vrasjen e tij. Talo Çela dhe Nuredin Dumani ishin grupi i kontraktuar për kryerjen e vrasjes.

Një tjetër emër i përfshirë në ekzekutime të urdhëruara është edhe Eljo (Ervis) Bitri, të cilin e kanë përmendur në rrëfime Dumani dhe Erion Alibej së fundmi.

Ai akuzohet për një atentat me eksploziv më 29 janar 2020 ndaj Mustafa Subashit në Durrës dhe pjesëmarrjen në vrasjen e dyfishtë më 2 mars në Shkozet, ndaj Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës.

Një tjetër atentat vdekjeprurës që ndodhet në këtë fraksion është ai ndaj Emiljano Ramazanit më 20 korrik 2020 në Elbasan, për të cilin kanë dëshmuar të penduarit Alibej-Dumani, me urdhër të të parit.

Po kështu në këtë fashikull ndodhet e zbardhur edhe ngjarja e vitit 2012, atentati ndaj Festim Qolit nga ana e Talo Çelës. Ky i fundit akuzohet dhe hetohet për disa atentate të rënda dhe krime, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në lidhjet që kishte me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, por edhe me Suel Çelën dhe të tjerë krerë të grupeve kriminale. Talo Çela dyshohet se i kryente krimet i urdhëruar dhe paguar nga drejtuesit e organizatave kriminale, ashtu sikurse dhe Nuredin Dumani në krahun tjetër.

SPAK ka ende në proces edhe ngjarje të tjera të rënda kriminale, pasi mund të zbulohen emra të implikuar që do i shtohen dosjes. Hetimet tregojnë se mbytja e Fatmira Dedjas ka ndodhur me urdhër të Festim Qolit, pasi ajo kërkonte drejtësi për vrasjen e djalit të saj, Elvisit dhe kishte arritur të zbulonte prova duke rrezikuar grupin e autorëve. për të mbuluar gjurmët, Qoli akuzohet se ka urdhëruar Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin, duke i paguar. 

 

Lini një Përgjigje