
Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Laç, si pjesë e një operacioni policor në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi Mateo Salela, i cili akuzohet për përfshirje në një grup kriminal, si dhe për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Autoritetet gjyqësore në Spanjë kanë lëshuar ndaj tij një urdhër arresti ndërkombëtar në shkurt të vitit 2026, duke e konsideruar të dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura gjatë vitit 2025.
Sipas hetimeve, 26-vjeçari dyshohet se më datat 14 dhe 15 mars 2025 ka kryer vjedhje në dy banesa në zona të ndryshme të Spanjës. Po ashtu, ai akuzohet edhe për ndërhyrje në targat e një automjeti, duke i falsifikuar ato.
Ndërkohë, Interpol Tirana ka nisur procedurat në bashkëpunim me homologët në Madrid për ekstradimin e të riut drejt Spanjës, ku do të përballet me drejtësinë.
"Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Operacionalja 91”.
Pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, të akuzuar për vjedhje me dhunë dhe për falsifikim të dokumenteve, lokalizohet dhe kapet në Laç, 26-vjeçari, Mateo Selala.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me partnerët spanjollë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit finalizuan fazën e 91-të të operacionit të koduar “Operacionalja”.
Gjatë kësaj faze u lokalizua dhe u kap në Laç, shtetasi M. S., 26 vjeç, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, në muajin shkurt, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për të, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Grupi kriminal”.
Shtetasi M. S. akuzohet se më datat 14 dhe 15 mars, 2025, ka vjedhur në 2 banesa, në zona të ndryshme në Spanjë. Ai gjithashtu akuzohet se ka ndryshuar targat e një automjeti.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Madrid, për të ekstraduar 26-vjeçarin, në Spanjë", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje