TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Prill 2026, 10:59

Operacioni antidrogë në Tiranë, Gjykata lë në burg 14 prej të arrestuarve

Shkruar nga Pamfleti

Operacioni antidrogë në Tiranë, Gjykata lë në burg 14

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 14 nga 15 personat e arrestuar në kuadër të një operacioni kundër një grupi të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet. Dyshohen se ata shpërndanin drogë në Tiranë, më konkretisht afër shkollave.

Vetëm një prej të ndaluarve, Ilir Baruti, është lënë në “arrest shtëpie”, për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore. Ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve u lanë në masën “arrest me burg”. Konkretisht: Arsen Shahollari, Visar Alla, Xhemal Gjoka (Boja), Jurgent Ibrahimi, Ermond Osmani, Aljon Çezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Çela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi dhe Glerjan Hoxhalli.

Pavarësisht kërkesave të avokatëve për masa më të buta sigurie, gjykata nuk i ka marrë parasysh, duke argumentuar se shumica e të dyshuarve janë kapur në flagrancë me lëndë narkotike.

Operacioni u zhvillua nga policia me urdhër të Prokurorisë së Tiranës dhe kishte në fokus një rrjet që dyshohet se shpërndante drogë të llojeve të ndryshme në disa zona të qytetit.

Në total, gjykata ka firmosur 31 masa sigurie, por vetëm 15 prej tyre janë ekzekutuar deri tani. Ndërkohë, 16 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa policia po punon për kapjen e tyre.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe pasuri: rreth 60.3 kg kanabis, 2.05 kg kokainë, 4 armë (një pistoletë dhe tre armë gjahu), si dhe shuma të mëdha parash në euro, lekë dhe paund.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të këtij grupi dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Lini një Përgjigje