Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi u kap në flagrancë në posedim të tre armëve të zjarrit në zonën e njohur si “Ura e Gjirozës”, pranë Unazës së Madhe.
Sipas burimeve për “Pamfleti”, i arrestuari është shtetasi Ligor Mehmet, i cili dyshohet se lëvizte me automjet duke transportuar armë dhe i shiste ato në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Tufinë dhe Fresk.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posedonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”.
Operacioni për kapjen e tij u zhvillua nga efektivët e Komisariatit nr. 4, të cilët gjatë kontrollit sekuestruan tre armët e zjarrit si prova materiale.
Burime paraprake bëjnë me dije se hetimet janë thelluar, pasi dyshohet se në këtë aktivitet të paligjshëm mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë. Nuk përjashtohet mundësia për një rrjet të organizuar të trafikut të armëve.
Policia vijon punën për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm, ndërsa hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal.
Finalizohet operacioni i koduar “Barriera”.
"Goditet një rast i tentativës për të shitur armë zjarri. Sekuestrohen 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake).
Arrestohet 48-vjeçari që i posedonte armët, me qëllim shitjen. Ai u kap në flagrancë, në Tufinë, duke i transportuar armët, me automjet.
Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”.
Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi L. M., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posesonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”.
Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte shtetasi L. M. dhe celularin e tij.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje