Policia spanjolle ka zbardhur vrasjen e 31-vjeçari shqiptar Miklovan Dakaj, trupi i të cilit u gjet në një thes në rezervuarin Casasola, në zonën e Almogías, pranë Malagës. Sipas mediave spanjolle Malaga Hoy, për këtë krim janë arrestuar tre persona.
Sipas hetimit, autorët e dyshuar nuk synuan vetëm eliminimin fizik të viktimës, por edhe fshehjen e plotë të krimit. Hetuesit thonë se ndaj familjarëve dhe miqve të të riut u ushtrua presion që të hiqnin dorë nga kërkimet, ndërsa në median shqiptare u përhapën edhe lajme të rreme për gjetjen e supozuar të trupit.
Trupi u zbulua më 14 tetor, pasi niveli i ujit në rezervuar ra ndjeshëm. Një kampist vuri re një qese të dyshimtë në baltë. Brenda saj ndodhej trupi i viktimës, i lidhur në duar dhe këmbë, i mbështjellë në një thes bashkë me blloqe çimentoje. Sipas policisë, autorët synuan që trupi të fundosej dhe të mos dilte në sipërfaqe.
Hetimi kishte nisur disa muaj më herët, më 12 maj 2025, kur partnerja e viktimës denoncoi zhdukjen e tij në Marbella. Ajo deklaroi se të dy kishin drekuar së bashku në Puerto Banús dhe se më pas ai ishte larguar me arsyetimin se do të takonte disa miq në Puerto de la Torre. Që nga ai moment, ajo nuk mori më asnjë lajm prej tij.
Policia dyshoi shpejt se bëhej fjalë për një zhdukje me rrethana kriminale, pasi nuk pati asnjë kërkesë për shpërblim dhe asnjë kontakt me familjen. Hetuesit analizuan kamerat e sigurisë, lëvizjet e viktimës dhe rrethin e saj shoqëror.
Sipas autoriteteve, viktima dhe partnerja e tij kishin jetuar prej rreth një viti në Costa del Sol, ndërsa më parë kishin qëndruar në Itali. Hetimi zbuloi se i riu kishte precedent penal për trafik ndërkombëtar droge. Kjo i çoi hetuesit drejt pistës së krimit të organizuar dhe të një larjeje hesapesh.
Policia thotë se autorët e dyshuar mbërritën nga Barcelona dhe se operacioni ishte i planifikuar. Sipas hetuesve, ata e joshën viktimën me pretekstin e një marrëveshjeje droge në Puerto de la Torre, më pas e çuan drejt rezervuarit Casasola, ku dyshohet se e vranë dhe fshehën trupin.
Edhe pse motivi nuk është konfirmuar zyrtarisht, policia dyshon se krimi lidhet me një borxh të papaguar ose me një konflikt brenda një aktiviteti të paligjshëm. Autoritetet theksojnë se nuk ka prova për grabitje, pasi paratë apo droga nuk rezultojnë të kenë qenë objekt i drejtpërdrejtë i ngjarjes.
Lini një Përgjigje