Një konflikt mes fqinjësh në zonën e Trevisos, në Itali, ka dalë jashtë kontrollit, pasi një 70-vjeçar tentoi të godasë me eskavator fqinjin e tij, një 50-vjeçar me origjinë shqiptare, duke arritur madje ta ngrejë në ajër me kovën e mjetit.
Ngjarja ndodhi në Paese, ku sipas mediave italiane, përplasja ishte vazhdim i një konflikti të hershëm mes tyre. Pas një debati të radhës, i moshuari hipi në eskavator dhe fillimisht tentoi ta përplaste 50-vjeçarin. Më pas, situata u përshkallëzua kur ai e kapi me kovë dhe e ngriti rreth 3 metra mbi tokë.
Ndërhyrja e personave të pranishëm, përmes thirrjeve dhe britmave, bëri që 70-vjeçari ta ulte në tokë shqiptarin, i cili ushtron aktivitet si sipërmarrës ndërtimi.
Megjithatë, incidenti nuk përfundoi me kaq. Me mbërritjen e policisë në vendngjarje dhe kërkesën për ta shoqëruar në komisariat, i moshuari reagoi me dhunë, duke kërcënuar dhe sulmuar fizikisht efektivët. Njëri prej policëve u godit me shkelm.
Në përfundim, 70-vjeçari u arrestua për dhunë dhe kundërshtim të forcave të rendit. Një ditë më pas, ai u paraqit para gjykatës, e cila konfirmoi arrestimin dhe vendosi masën “detyrim paraqitje” çdo ditë në polici. Seanca e radhës është caktuar për 26 shtator.
Sipas dëshmive, konflikti mes dy fqinjëve ka nisur rreth dy vite më parë, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kufirin e pronës, tubacionet e gazit dhe hyrjen për mjetet. 50-vjeçari shqiptar pretendon se ka qenë edhe më herët objekt i dëmtimeve dhe provokimeve nga fqinji i tij.
Edhe ditën e incidentit, shkak u bënë disa pengesa të vendosura në hyrje, të cilat çuan në përplasjen e fortë që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.
Lini një Përgjigje