Një 19-vjeçar është vënë në prangat e policisë në fshatin Bulgarec të Korçës, pasi dyshohet se ka plagosur me thikë një 16-vjeçar.
Ngjarja ndodhi në rrugë, pas një përplasjeje mes dy të rinjve. I plagosuri mori ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti mes tyre kishte nisur një ditë më parë gjatë një loje me letra. Sipas të dhënave, mosmarrëveshja lidhej me një pije që njëri prej tyre refuzoi ta paguante pasi humbi lojën. Përplasja vijoi edhe ditën pasuese dhe fillimisht kaloi në goditje me grushte, më pas degjeneroi në përdorimin e thikës, duke lënë të plagosur 16-vjeçarin në kraharor.
Familjarët e të miturit deklaruan se mes dy familjeve nuk ka pasur më parë probleme.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, të DVP Korçë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 19 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Bulgarec, në rrugë, dyshohet se ka goditur me thikë, një 16-vjeçar, banues në fshatin Bulgarec, për motive të dobëta. I dëmtuari po merr mjekim në spitalin e Korçës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti prerës (thikë) dhe celulari i të arrestuarit", njofton policia.
Gjyshja e të plagosurit Meliana Bricka thekson se të dy familjet kanë pasur marrëdhënie të mira dhe se nuk ka pasur konflikte të mëparshme mes tyre.
“Me thikë në kraharor e ka goditur me thikë. Luanin me letra jo fitova unë jo fitove ti. Ishin zënë me grushte dhe e kishte goditur me thikë. Jemi të afërt me familjen tjetër, kishim hyrje dalje edhe fëmija s’kanë patur gjë. Sherri ka qenë për lojën siç na llafosi djali. Të shoh djalin si është, atje më rri mendja. Është në shkollë në gjimnaz. S’kemi patur konflikt me asnjë në fshat se si na i bëri ai djalë kështu, na plagosi djalin”, shprehet gjyshja e të plagosurit.
Nga ana tjetër familjarët e autorit thanë se konflikti ka qenë i çastit dhe pa precedentë të mëparshëm. Gjyshi i tij, Shaban Mersinaj, deklaron se të rinjtë janë konfliktuar brenda në lokal dhe se gjithçka ka ndodhur pas një përplasjeje fizike mes tyre. Ai shton se nipi i tij nuk është person problematik dhe se familjet kanë pasur marrëdhënie të afërta.
“Ata luanin aty, ai (i plagosuri)e goditi me stekë nipin, nipi ka rënë në tokë. Sipas asaj që na kanë thënë nipi është ngritur dhe i plagosuri e ka qëlluar prapë e ka bërë gjak pastaj ka vepruar nipi. Ngjarja ka ndodhur brenda në lokal. Ne jemi tanët, jemi kushërinj, janë zënë për kot. Nipi im nuk është i sherrit, është djalë i qetë, punëtor. Ne kemi folur me të atin, ai nuk shtron ,jemi takuar në spital, nuk pranon.
Ne nuk kemi asnjë konflikt me ta. Gjendja e të plagosurit është mirë, nën sqetull ka një gërvishtje. Nipin erdhi e mori policia, ai pas ngjarjes erdhi në shtëpi, na tha që më goditi. Janë gjëra të momentit jo konflikte të mëparshme, janë zënë për një shok pse i ke thënë këtë, pse i ke thënë atë. Kemi patur hyrje dalje në familje”, shprehet ai.
Lini një Përgjigje