Media britanike Metro ka publikuar një artikull mbi një video të shpërndarë në TikTok, ku shfaqet një grup personash që pretendohet të jenë pjesë e një bande shqiptare duke bastisur një “shtëpi bari”.
“Postimi shqetësues tregon burra të maskuar që përdorin skanerë infra të kuq në rrugë të zakonshme periferike për të lokalizuar nxehtësinë nga llambat e rritjes së kanabisit. Pasi gjejnë një objektiv, ata hyjnë brenda. Ata pozojnë për kamerën me një këngë ‘trap’ në sfond, ndërsa në përshkrim shkruhet “f*** you”, teksa banda duket se po grabit shtëpinë”, shkruan artikulli.
Sipas Metro, pamjet vijojnë me një burrë që duket i hutuar dhe i frikësuar, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë, i cili mendohet se jeton ose punon në ambientin në fjalë. Kamera më pas fokusohet te personat që mbajnë në duar bimë kanabisi. Artikulli shpjegon se “shtëpitë e barit” janë të pajisura me sisteme ndriçimi dhe ngrohjeje të avancuara për kultivimin e bimëve, një aktivitet që mund të jetë shumë fitimprurës. Sipas medias, videoja synon të paraqesë stilin e jetesës së personave të përfshirë në aktivitet kriminal.
Prona e shfaqur në video duket si një banesë e zakonshme periferike dhe nuk është identifikuar. Bazuar në gjurmët online të përdoruesit që e ka publikuar, besohet se pamjet janë filmuar në West Yorkshire.
Pamje të tjera në të njëjtin profil TikTok tregojnë një person të maskuar duke u ngjitur në murin e një shtëpie dhe duke hyrë përmes një dritareje të hapur. Një tjetër video paraqet persona që vëzhgojnë një ambient të dyshuar për kultivim kanabisi. Disa nga pamjet përmbajnë simbolin e flamurit shqiptar dhe slogane në gjuhën shqipe. Artikulli thekson se këngët e përdorura kanë përmbajtje të dhunshme, por në video nuk shfaqen armë.
Më tej, Metro i referohet edhe një grupi tjetër në lindje të Londrës. Në Barking, një bandë e quajtur Hellbanianz është filmuar duke ekspozuar armë, para, ora Rolex dhe automjete luksoze si Ferrari. Sipas artikullit, grupi ushtron ndikim në zonën Gascoigne, ndërsa disa nga anëtarët e tij janë dënuar pasi postimet e tyre online tërhoqën vëmendjen e policisë.
Media britanike përmend gjithashtu një rrjet kriminal në Southgate, në veri të Londrës, ku aktivitetet e trafikimit të njerëzve dhe tregtisë së drogës gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme. Sipas burimeve lokale të sigurisë të cituara në artikull, një bandë shqiptare me bazë pranë stacionit Southgate ka kontroll të fortë mbi zonën.
Prania e tyre, sipas artikullit, është aq e dukshme sa zona njihet nga disa banorë si “Tirana e vogël”.
“E quajmë Tirana e vogël këtu. Bandat shqiptare kanë kontroll mbi komunitetin dhe ka shumë frikë për t’u eliminuar [vrarë]. Ata kanë marrë nën kontroll disa biznese dhe kanë kërcënuar të tjerë. Ka lidhje me trafikimin e njerëzve, zhvatjen për mbrojtje dhe shitjen e drogës. Është territori i tyre dhe fshihen në sy të të gjithëve. E dimë kush janë dhe nga operojnë. Është raportuar në polici dhe ata duhet të marrin masa”, thotë ai.
Në vijim, artikulli thekson se Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar përdor termin “Shqiptare” për të identifikuar grupe të caktuara kriminale. Sipas raportimeve, këto grupe janë të përfshira në tregtinë e kokainës që hyn në vend nga Amerika Latine dhe besohet se kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut, të vlerësuar rreth 5 miliardë paund.
Sipas vlerësimeve të policisë, ata blejnë kokainë me çmime deri në 5,000 paund për kilogram dhe e shesin me marzhe më të ulëta fitimi për të rritur ndikimin në treg. Artikulli përfundon se aktiviteti në shkallë të gjerë i trafikut të drogës u ka mundësuar këtyre grupeve të sigurojnë burime financiare të konsiderueshme dhe ndikim në komunitete të ndryshme.
Lini një Përgjigje