Publikohet fotoja e 48-vjeçarit të arrestuar nga policia e Tiranës, i dyshuar për trafik armësh në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i koduar “Barriera”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, u finalizua me arrestimin e shtetasit Ligor Mehmet, banues në Tiranë. Ai u ndalua në rrugën “Myslym Keta”, në zonën e Tufinës, teksa qarkullonte me automjetin e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri 2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake, të cilat dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen në zonat e Freskut dhe Tufinës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu 3 krehra me municion, automjeti i përdorur nga i dyshuari, si dhe celulari i tij.
Armët e sekuestruara dyshohet se do të tregtoheshin në tregun e paligjshëm, ku secila nga pistoletat kishte një vlerë rreth 1,500 euro, ndërsa arma taktike do të shitej për rreth 8,000 euro.
“Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar ‘Barriera’. Nga kontrollet në automjet u gjetën 3 armë zjarri që dyshohet se ky shtetas i posedonte me qëllim shitjen”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetimet vijojnë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje