Zbardhen detaje të reja nga operacioni i zhvilluar paraditen e sotme nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Raportohet se, gjatë kontrolleve të befasishme në disa qeli janë zbuluar doza kokaine, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë brenda institucionit. Në kuadër të të njëjtit operacion, dy të dënuar me burgim të përjetshëm janë transferuar, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Bëhet me dije se, Fran Marashi i dënuar me burgim të përjetshëm, është transferuar nga burgu i Peqinit në Drenovë, ndërsa një tjetër i dënuar është transferuar në Burrel.
Marashi mbahet i izoluar në regjimin ‘41 biss’, prej 13 dhjetorit të vitit 2024. Ai u dënua nga GJKKO me burgim të përjetshëm, si i përfshirë në masakrën e Urës Vajgurore, të 17 qershorit 1997, ku u vranë 4 policë dhe u plagosën 6 të tjerë.
Gjatë kontrollit në burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin u konstatuan dhe sekuestruan gjithashtu, sende të ndaluara: përfshirë sende të improvizuara prerëse, kabuj, materiale të tjera të palejuara dhe qarqe të modifikuara elektrike.
Aksioni ka përfshirë kontroll të thelluar në të gjitha ambientet e burgut, me një angazhim të gjerë të forcave dhe mjeteve operacionale në terren. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi shtrirjen e operacionit apo rezultatet përfundimtare.
Hetimet pritet të vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar përgjegjësit për futjen e lëndëve narkotike në një burg të sigurisë së lartë.
Lini një Përgjigje