Personi që shihni në foto është 45-vjeçari Zamir Skenderi, i cili dyshohet se plagosi efektivin në Kuçovë.
Sipas njoftimit zyrtar, Skenderi po transportohej nga Komisariati i Policisë Fier drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë, pasi dyshohej për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, ai është konfliktuar me efektivin e policisë A.T., 20 vjeç dhe i ka rrëmbyer armën e shërbimit, duke e plagosur.
Menjëherë pas ngjarjes, patrulla e policisë ka ndërhyrë duke neutralizuar 45-vjeçarin dhe duke i marrë armën.
Efektivi i plagosur është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore dhe sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik ndaj Skenderit, uniformat blu kanë gjetur të fshehur në trup edhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
“Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë. Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S. është konfliktuar me punonjësin e Policisë A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit dhe e ka plagosur”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe procedurat e ndjekura gjatë shoqërimit të 45-vjeçarit.
Lini një Përgjigje