Autoritetet greke i akuzojnë për tentativë grabitjeje të armatosur dhe përdorim dhune ndaj një çifti në Etoli Akarnania
Policia greke ka publikuar identitetet dhe fotografitë e katër shtetasve shqiptarë të akuzuar për një tentativë grabitjeje me armë dhe dhunë në zonën Thermo të Etoli Akarnanias, ngjarje e ndodhur në muajin prill.
Të akuzuarit janë Romeo Qosja, Lefter Toci, Mariol Toska dhe Fatbardha Shehi. Ndaj tyre është regjistruar procedim penal për tentativë grabitjeje të armatosur në mënyrë të përsëritur.
Sipas hetimeve, tre prej të dyshuarve kanë hyrë në banesën e një çifti nga një derë e shtëpisë dhe kanë tentuar t’i grabisin nën kërcënimin e armës. Gjatë incidentit, ata ushtruan dhunë ndaj burrit të familjes.
Ngjarja u ndërpre pasi djali i çiftit i ka vënë re autorët, të cilët janë larguar menjëherë nga vendi. Gjatë arratisjes, njëri prej tyre ka qëlluar dy herë në ajër, pa shkaktuar të lënduar.
Pas ngjarjes, policia organizoi një operacion për arrestimin e tyre. Një automjet ku ndodhej e dyshuara femër u ndalua në kryqëzimin Sykia. Brenda bagazhit të mjetit u gjetën të fshehur dy nga të akuzuarit meshkuj, të cilët u arrestuan në vend.
Ndërkohë, personi i katërt u lokalizua në një banesë me qira. Sipas autoriteteve, dy prej të arrestuarve rezultonin të arratisur nga një qendër paraburgimi, ndërsa një tjetër ndodhej jashtë burgut me leje gjashtëditore.
Lini një Përgjigje