
Shkëmbi dyshohet si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, i cili udhëtonte në një automjet me Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.
Amar alias Dritan Shkëmbi është ekstraduar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Dubai. i veshur me të zeza dhe duar të lidhura, Shkëmbin e marrin nga bordi i avionit dy efektivë të forcave Shqiponja, dhe nën masa të forta sigurie transportohet nga pista e aeroportit ‘Nënë Tereza’.
Ndaj tij, GJKKO me kërkesë të SPAK kishte caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’, ndërsa Amar alias Dritan Shkëmbi ndodhej i strehuar në Dubai, një vend ku shpesh gjenden shumë nga personazhet e botës së nëndheshme të krimit shqiptar.
Shkëmbi dyshohet si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, i cili udhëtonte në një automjet me Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”. Si pasojë e të shtënave me armë drejt automjetit, mbeti i plagosur ish-Prokurori dhe u vra shoferi i tij, Andi Maloku.
Amar alias Dritan Shkëmbi konsiderohet nga SPAK si pjesëtar i grupit të Plarent Dervishaj, i cili po gjykohet në GJKKO në lidhje me disa çështje penale.
Njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit
Ekstradohet nga Dubai, një shtetas i akuzuar nga GjKKO-ja, për krime të rënda kundër disa personave.
Si rezultat i bashkëpunimit konsistent të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Abu Dhabi, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të shtetasit shqiptar A. Sh. alias D. Sh..
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
-“Vrasja e funksionarëve publikë", mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. N.;
-"Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", me pasojë vdekjen e shtetasit A. M., si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit A. L. (P. M.);
-"Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit";
-"Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtetasit P. D., E. S., B. P., J. M. dhe R. R., në dëm të shtetasve A. N. dhe A. L. (P. M.), vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-“Vjedhja", kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi A. Sh. alias D. Sh. është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit A. M., A. N. dhe A. L.. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. M., si dhe u plagosën shtetasit A. N. dhe A. L..
Lini një Përgjigje