
Policia e Fierit ka arrestuar arrestuar Kreshnik Gashin për vrasjen e Elton Javorit në dhjetor të 2023 në Fier, ndërsa është në në kërkim vëllai, Agim Gashi.
'Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Fier ka ekzekutuar masën e sigurisë të caktuar nga Gjykata e Fierit për veprat penale "Vrasje me paramendim", e kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", për shtetasin K. G., 33 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2023, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. G., (aktualisht person në kërkim), dyshohet se kanë vrarë për motive të dobëta shtetasin E. J.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. G.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.', njofton policia.
Si ndodhi vrasja më 7 dhjetor 2023
Dy vëllezërit Agim dhe Kreshnik Gashi udhëtonin me një makinë Benz, ndërsa viktima me një fuoristradë tip Porsche. Automjeti i autorëve i doli paralel makinës së viktimës, ulën xhamin nga krahu i pasagjerit dhe qëlluan me armë drejt 41-vjeçarit Elton Javori.
Në bazë të provave të gjetura në vendngjarje, policia thotë se edhe viktima ka shkëmbyer zjarr me autorët, pasi iu gjet një pistoletë.
Pas të shtënave, makina e të dyshuarve u largua. Edhe i ndjeri Javori ka mundur të drejtojë makinën për disa metra i plagosur, më pas ka ndaluar në anë të rrugës ku u gjet i vdekur.
Vrasja ndodhi në lagjen “16 Prilli” të Fierit.
Ngjarja i ka tronditur banorët e Fierit dhe fqinjët e 41-vjeçarit thonë se ai nuk ishte person problematik.
Viktima jetonte në Fier vetëm me të atin ndërsa kishte rreth 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania ku punonte dhe jetonte bashkë me disa nga anëtarët e familjes së tij. Elton Javori është nipi i Demir Backës i cili po ashtu u vra në një atentat në Tetor të vitit 2021. Ngjarja në atë kohë ndodhi në zonë e quajtur rrethrrotullimi i QTU ndërsa ai u qëllua me armë në momentin që do të hipte në makinën e tij.
Lini një Përgjigje