Ish-i dashuri filipinas u arrestua dhe rrëfeu vrasjen gjatë një marrjeje të gjatë në pyetje.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Itali, ku 22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula, e cila ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit në Romë, është gjetur e vrarë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Trupi i saj ishte futur në një valixhe që u gjet e hedhur në humnerë, raporton Corriere della Sera.
Në vendngjarje shkuan hetuesit e skuadrës kriminale së bashku me zjarrfikësit për të marrë trupin e së resë. Sipas verifikimeve të para, e reja kishte pasur së fundmi një lidhje me një 23-vjeçar filipinas Mark Samson, i cili është arrestuar nga autoritetet. Mësohet se i riu ka pranuar vrasjen e shqiptares.
Ish-i dashuri u arrestua dhe rrëfeu vrasjen gjatë një marrjeje të gjatë në pyetje. Sipas raporteve fillestare, djali dyshohet se e goditi Ilaria-n disa herë me thikë në apartamentin në Via Homs, përpara se ta mbyllte në një valixhe dhe të përpiqej të zhdukte trupin. Ndaj tij rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje dhe fshehje të kufomës. Nuk dihet nëse ka qenë ai që ka treguar vendndodhjen ku e kishte fshehur kufomën.
I riu me origjinë filipinase, për të zhdukur gjurmët, vazhdoi që të përdorte celularin e studentes, duke iu përgjigjur mesazheve dhe duke postuar në rrjete sociale edhe pas vdekjes së të resë. Sula kishte dalë mbrëmjen e 25 marsit, pa u përshëndetur me shoqet e dhomës dhe nuk u ishte përgjigjur mesazheve të tyre në WhatsApp.
Ndërkohë, vëllai i 22-vjeçares i tronditur nga lajmi tragjik tha "Pse e bëri?"
"Nuk mund ta shpjegojmë. Pse e bëri? Nuk e kuptojmë pse e bëri, vetëm ai e di", thotë Leon, vëllai i vogël i Ilaria Sulës, i cili ka mbërritur në Romë me disa të afërm. “Kam folur me motrën herën e fundit dy javë më parë, sepse ajo erdhi të na vizitojë në Terni – kujton ai – Ajo ishte e qetë dhe nuk më thoshte për problemet. Pastaj vetëm mesazhe”. Sa i përket Samsonit, ai thotë: “E njihja, ishin një vit bashkë por u ndanë”.
Ekspertiza shkencore në banesën e ish-të dashurit
Hetimet morën një kthesë dramatike gjatë natës, kur policia shkoi në apartamentin e të riut filipinez në rrugën Homs, në lagjen Africano, ku kreu një kontroll. Mbrëmjen e zhdukjes, Ilaria kishte dalë nga shtëpia me nxitim për të takuar dikë. Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, thanë se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, madje as sendet personale, ndërsa telefoni i saj kishte qëndruar i ndezur për njëfarë kohe dhe dikush madje kishte kthyer përgjigje në disa mesazhe. Nuk është e qartë nëse ishte vërtet ajo. Më pas, nuk ka patur më asnjë gjurmë nga e reja shqiptare.
Ilaria studionte Statistikë në universitetin “La Sapienza”. Përveç familjarëve të saj, të cilët kishin ngritur alarmin në rrjetet sociale të martën, edhe shoqe e kolegë ishin mobilizuar për ta gjetur duke publikuar fotografi të shumta të saj.
Lini një Përgjigje