Studentja shqiptare, 22-vjeçare që rezultonte e zhdukur prej një jave në Romë është gjetur e pajetë, trupi i së cilës ishte futur në një valixhe dhe i hedhur në një zonë të pyllëzuar.
Ilaria Sula u zhduk më 25 mars në zonën Furio Camillo ku jetonte në një apartament që ndante me disa shoqe.
Familjarët ishin shprehur shumë të shqetësuar mbi fatin e 22-vjeçares dhe kishin bërë denoncim për zhdukjen e saj në stacionin e policisë në San Lorenzo.
Sipas mediave italiane, vajza u largua pas ndarjes me të dashurin me origjinë filipinase.
Prindërit të cilat nuk mundën të kontaktonin me 22-vjeçare, denoncuan rastin menjëherë në polici.
E reja ishte duke studiuar për Statistikë në Universitetin La Sapienza.
Përveç familjes së saj, të cilët kishin alarmuar të martën rrjetet sociale, për ta gjetur atë ishin mobilizuar edhe miq e kolegë, duke publikuar fotografi të shumta të së resë.
Hetimet për vrasje nga i dashuri
Pista kryesore e policisë është ajo e vrasjes, teksa policia ka arrestuar të dashurin e saj.
Hetimi mori një kthesë dramatike gjatë natës kur hetuesit e policisë mbërritën në banesën e filipinasit në via Homs, në lagjen afrikane , ku në mëngjes policia mjeko-ligjore kreu një inspektim. I njëjti i ri, me të cilin viktima shkruante prej kohësh mesazhe në mbrëmjen e zhdukjes së saj, u identifikua nga policia dhe u dërgua në komisariat për t'u marrë në pyetje dhe më pas u arrestua.
Në mbrëmjen e zhdukjes së saj, Ilaria me sa duket ishte larguar nga shtëpia me nxitim për të takuar dikë. Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, raportuan se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, madje as grim, por se celulari i saj mbeti duke punuar deri në një pikë dhe se dikush madje i ishte përgjigjur mesazheve të saj.
Lini një Përgjigje