TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Prill 2025, 21:37

U shit si humanizëm, por ishte vjedhje/ Si çifti irlandez u morën të rinjve çantën me 40 mijë euro, pasi u zbuluan e dorëzuan në polici

Shkruar nga Pamfleti
U shit si humanizëm, por ishte vjedhje/ Si çifti irlandez u
Çifti irlandez

Ajo që u shit si shenjë humanizmi, në fakt ka qenë një grabitje. E kemi fjalën për çiftin irlandez, i cili dorëzoi në policinë e Shkodrës një çantë me 40 mijë euro, me argumentin se e kishin gjetur në Durrës. Por pas hetimeve të policisë doli se ishte vjedhje.

Ata deklaruan se e kishin gjetur më 26 mars, rreth orës 15:30, pranë një supermarketi në lagjen nr. 13, Plazh Durrës.

Megjithatë, kamerat e sigurisë zbuluan se deklarimi i tyre nuk ishte i vërtetë, duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në një vjedhje. Ata ia morën shumën e parave dy të rinjve në plazh, të cilët e gjetën pasi u ra pronarit të tyre. Dyshohet se paratë i përkisnin një agjenti imobilar.

Pasi e panë skenën e rënies së parave dhe marrjes nga të rinjtë që i gjetën rastësisht ata vendosën të përfitojnë padrejtësisht, duke deklaruar se shuma u përkiste atyre. Në këmbim Stack u dha 500 euro shpërblim dy të rinjve.

Më pas çifti u largua nga hoteli dhe Durrësi në drejtim të Shkodrës. Policia e Durrësit zbuloi lëvizjet e tyre përmes kamerave të sigurisë dhe GPS-it të makinës dhe bashkëpunoi me policinë e Shkodrës për shoqërimin e tyre. Pas shoqërimit të tyre në Durrës, policia vendosi ndalimin e çiftit për vjedhje në bashkëpunim.

Gjykata e Durrësit vendosi sot masat e sigurisë Kevin Stack, 42 vjeç, dhe partneren e tij Kate Connolly. Sipas vendimit gjyqësor të dhënë nga gjyqtarja Suela Xhani, shtetasi Kevin Stack do të qëndrojë në masën arrest në burg, ndërsa për Kate Connolly është caktuar një masë alternative. Ajo do të mbahet në paraburgim deri në depozitimin e një garancie pasurore prej 5000 eurosh, të cilën duhet ta paguajë brenda pesë ditëve.

 

Lini një Përgjigje