
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në burg Eria Agon, ish-e dashura e Safet Bajrit, i cili është arrestuar për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër.
Ago kishte ankimuar vendimin e Shkallës se Parë që e la në burg pa afat me akuzën e përkrahjes të autorit të krimit. Ago vijon të ketë qëndrim mohues për ngjarjen duke u deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2018.
Dyshohet se e reja ka larguar me automjet vrasësit e Licit, pak çaste pas kryerjes së krimit. Sipas dosjes hetimore të SPAK, dyshohet se pas vrasjes së Fatbardh Licit, Eria Ago ka marrë me makinë dhe ka sjellë në Tiranë, Astmer Bilalin, ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.
“Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetasja E.A. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet (Bajri) Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, dhe se mjeti tjetër përdoret nga E.A”, thuhet në dosjen e SPAK.
Lini një Përgjigje