Në seancën e së premtes, mbrojtja e Elvis Muratajt kërkoi shpalljen e pafajësisë së tij, duke argumentuar se provat e paraqitura nga prokuroria janë të pabesueshme dhe nuk e lidhin atë me vrasjen e Ardit Spahiut në nëntor të vitit 2020.
Avokati Romain Delcoigne deklaroi para gjykatës se përshkrimi fizik i dhënë nga dëshmitarët okularë për tre personat që ndodheshin në automjetin e përfshirë në ngjarje nuk përputhet me profilin e Elvis Muratajt. Ai theksoi gjithashtu se në vendin e vrasjes nuk është gjetur asnjë gjurmë ADN-je e klientit të tij.
Delcoigne vuri në dukje paqartësitë në deklarimet e të akuzuarit tjetër, Eljo Bitri, lidhur me Elvis Muratajn, duke shtuar se ndaj tij nuk ekzistojnë prova për lidhje me ndonjë klan shqiptar apo me aktivitet kriminal të mëparshëm.
Në vijim, avokati Quentin Mayence u ndal te provat e komunikimeve të siguruara përmes Sky ECC, të cilat i cilësoi të pamjaftueshme dhe të mbushura me inkonsistenca. Ai argumentoi se PIN-i i atribuar nga prokuroria Elvis Muratajt mund të jetë përdorur nga një person tjetër, duke vënë në pikëpyetje identifikimin e bërë nga organi i akuzës.
“Përshkrimi fizik i bërë nga dëshmitarët nuk përputhet me profilin e Elvis Muratajt, në vendin e vrasjes nuk ka asnjë gjurmë ADN-je të tij dhe provat e Sky ECC janë të paqarta, pasi PIN-i i atribuar nga prokuroria mund të jetë përdorur nga një person tjetër”, deklaruan avokatët mbrojtës.
Mbrojtja rikujtoi se në fillim të procesit, Elvis Murataj ishte paraqitur nga prokuroria si “shënjestruesi me armë të gjatë”, ndërsa gjatë gjykimit roli i tij u ndryshua në atë të shoferit të makinës. Sipas avokatëve, ky ndryshim tregon mungesë konsistence në ndërtimin e akuzës dhe përforcon tezën se Murataj nuk ka lidhje me vrasjen.
Në këtë proces mungojnë dy të akuzuarit e tjerë të konsideruar si atentatorë të “komandos”, Flobenc Meçja dhe Endrit Sadedini, të cilët ndodhen të burgosur në Shqipëri për çështje të tjera penale. Ndryshe nga ata, Elvis Murataj është i vetmi që po gjykohet në këtë çështje.
Të premten, mbrojtja apeloi te logjika e jurisë dhe kërkoi shpalljen e pafajësisë së Muratajt për pjesëmarrjen në vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua me 18 plumba nga dy armë zjarri më 27 nëntor 2020, në një kontekst hakmarrjeje mes klaneve shqiptare.
Elvis Murataj është i katërti i akuzuar në këtë proces që kërkon pafajësinë për mungesë besueshmërie të provave të prokurorisë, pas Elton Roçit, Blerim Mamutajt dhe Franc Gergelyt (Çopjas).
Lini një Përgjigje