Një tentativë grabitjeje u shënua mbrëmjen e së premtes në qytetin e Shkodrës, në ambientet e një filiali të Postës Shqiptare.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, në lagjen “Vasil Shanto”, ku një person i paidentifikuar hyri në zyrën e postës me kapuç dhe me thikë në dorë. Autori kërcënoi punonjësen dhe tentoi të marrë një shumë parash, por nuk arriti qëllimin.
Gjatë largimit, ai theu xhamin e sportelit brenda ambienteve të postës. Nga ngjarja nuk u raportuan persona të lënduar, ndërsa u konstatuan vetëm dëme materiale.
Forca të shumta policie shkuan në vendngjarje dhe nisën menjëherë kontrollet në zonë. Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Policia vijon kërkimet për kapjen e personit të dyshuar, ndërsa situata në filialin e postës është vënë nën kontroll.
"Rreth orës 19:00, në lagjen “Vasil Shanto”, një shtetas ende i paidentifikuar është futur brenda ambienteve të filialit të Postës Shqiptare dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë monetare, por nuk ka mundur ta marrë dhe gjatë largimit ka thyer xhamin e sportelit.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit."-njofton policia.
Lini një Përgjigje